Kush Është Artist?

Kush quhet artist?

Artist konsiderohet çdo person i cili interpreton/ekzekuton një vepër artistike si aktorët, këngëtarët, muzikantët, valltarët dhe personat e tjerë, që paraqesin, këndojnë, kërcejnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë, ekzekutojnë, që drejtojnë një orkestër ose shfaqin apo sjellin në çdo lloj mënyre, një krijim artistik ose letrar, një shfaqje të çdo lloji, përfshirë folklorin, varietenë, cirkun dhe shfaqjet me kukulla.

Agjencia “AKDIE” në përputhje me përshkrimin e artistit sipas legjislacionit ndërkombëtar dhe atij shqiptar,  njeh dhe pranon si antarë të saj, këto grupime artistësh:
Agjencia “AKDIE” njeh dhe pranon si anëtarë të saj :

  1. Aktorët
  2. Këngëtarët
  3. Muzikantët
  4. Valltarët
  5. Drejtues orkestre
  6. Drejtues kori
  7. Personat që luajnë një rol mbështetës në interpretim/ekzekutim, por të rëndësishëm;
  8. Prezantuesit
  9. Recituesit
  10. Spikerat

 

Sipas këtyrë përkufizimeve:

  1. Anëtar i agjencisë “AKDIE” është dhe do të konsiderohet çdo person artist, shtetas shqiptar, i cili ka interpretuar/ekzekutuar në një vepër artistike, të çdo lloj zhanri artistik, vepër e cila i është përcjellë publikut ose është vendosur në dispozicion publikut, në mënyrë ndërvepruese, më të gjitha format që njeh ose do të njoh teknologjia, në mënyrë masive, gjatë vitit kalendarik të mëparshëm dhe i cili/e cila, nëpërmjet kontratës që ka me agjencinë AKDIE, arkëton pagesat në numrin e llogarisë së tij bankare, brenda afatit 3 vjeçar, kur shuhet e drejta e kërkimit gjyqësor, sipas afatit parashkrimit të padisë, nga viti kalendarik kur është përdorur interpretim/ekzekutimi i tij, në veprën artistike, sipas skemës së Mbledhjes së Pagesave, sipas përdorimit të të drejtave të artistëve, sipas veprave të përdorura gjatë minutazhit të vitit kalendarik (525 600 minuta). Prezumohet se agjencia AKDIE, ka kompetencat e përfaqësimit të të gjithë mbajtësve të së drejtës së artistëve, vendas dhe të huaj, për të drejtat përkatëse respektive në veprën artistike të përdorur. Mbajtësit e të drejtave do të kenë të drejtë të zgjidhin autorizimin për të administruar të drejtat e tyre mbi veprën, dhënë prej tyre tek AKDIE, sipas kontratës dhe/ose sipas licensës së dhënë nga Autoriteti licensuar, ose të tërheqin ndonjë prej të drejtave të tyre, për të mos u administruar nga AKDIE, në përputhje me ligjin, për vendin e zgjedhur nga ana e tyre, duke bërë njoftimin e duhur, në formë të shkruar, jo më shumë se 6 muaj përpara. AKDIE mund të vendosë që një zgjidhje ose tërheqje e tillë, të hyjë në fuqi vetëm në përfundim të vitit financiar, sepse Agjencia AKDIE ka detyrimin e arktëtimit të pagesave për 365 ditë të vitit kalendarik.
  2. Anëtar i agjencisë “AKDIE” është dhe do të konsiderohet çdo person artist -shtetas i huaj, i cili kërkon me akt të shkruar, i shoqëruar me dokumentacionin e duhur, se dëshiron të jetë anëtar i Agjencisë AKDIE dhe pranohet si i tillë, me Vendim të Këshillit Ekzekutiv dhe Asamblesë së Përgjithshme, vetëm pasi të ketë provuar me aktet shkresore, të njohura si të tilla nga legjislacioni ndërkombëtar, se nuk është anëtar i asnjë agjencie tjetër, të vendit të origjinës së tij ose se ka tërhequr të drejtat e tij, nga administrimi i asaj agjencie dhe nuk ka asnjë problem ligjor me atë agjenci dhe nëpërmjet kontratës së firmosur me agjencinë AKDIE kalon të drejtat e tij për administrim kolektiv pranë saj.
  3. Anëtar i Agjencisë “AKDIE” është dhe do të konsiderohet cdo artist i huaj, i përfaqësuar në Shqipëri nëpërmjet Kontrata të Përfaqësimit reciprok me shoqëritë homologe përkatëse të huaja, i cili ka interpretuar/ekzekutuar në një vepër artistike, të cdo lloj zhanri artistik, vepër e cila i është përcjellë publikut ose është vendosur në dispozicion publikut, në mënyrë ndërvepruese, në mënyrë masive, brënda afatit ligjor të mbrojtjes së të drejtës së artistit.

 

Çfarë të drejtash ka një artist?

Çdo artist ka të drejtën e tij Ekskluzive të autorizojë apo ndalojë:

  1. regjistrimin e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
  2. riprodhimin e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
  3. shpërndarjen e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
  4. qiradhënien e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
  5. huadhënien e fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
  6. importimin, për qëllime tregtare në tregun e brendshëm, të fonogramit ose videogramit me përmbajtjen e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
  7. transmetimin e interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve dhe përcjelljen e tyre në publik me përjashtim të rasteve kur interpretimi dhe/ose ekzekutimi është fiksuar ose transmetuar më parë.
  8. Nëse regjistrimi/fiksimi është bërë në një fonogram ose videogram, interpretuesi dhe/ose ekzekutuesi ka të drejtën e përfitimit të një shpërblimi të përbashkët, të drejtë, për transmetimin dhe përcjelljet e tjera në publik të interpretimit dhe/ose ekzekutimit të tij. Shpërblimi i përbashkët, i drejtë, i përmendur në këtë pikë, të këtij neni, përbëhet prej shpërblimit të marrë nga përdoruesi i fonogrameve dhe që i përket interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit dhe prodhuesit të fonogrameve;
  9. ritransmetimin kabllor të interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre;
  10. vënien në dispozicion në mënyrë ndërvepruese të fiksimeve të interpretimeve dhe/ose ekzekutimeve të tyre.
  11. Interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit kanë të drejtën e një shpërblimi të drejtë për riprodhimin e veprave të autorit për përdorim privat ose përdorim tjetër personal.
  12. Me përjashtim kur përcaktohet ndryshe në kontratën e prodhimit (produksionit audiovizual), interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit, që marrin pjesë në prodhimin e një vepre audiovizuale ose në regjistrimin e fonogrameve të ndryshme, prezumohen se ia kalojnë prodhuesit të filmit, ekskluzivisht dhe pa kufizime, të gjitha të drejtat ekonomike të shfaqjes së tyre. Për çdo të drejtë ekonomike, e cila është kaluar sipas kontratës më sipër, interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit do të gëzojnë të drejtën për përfitimin e shpërblimit të drejtë nga prodhuesi (producenti) i filmit. Interpretuesit dhe/ose ekzekutuesit nuk mund të heqin dorë nga e drejta e parashikuar.

Çdo artist ka të drejtën e tij të PADORËHEQSHME për SHPËRBLIM kur:

-për çdo rast dhe mënyrë të përdorimit të interpretimit të tij, qoftë nëpërmjet transmetimit, ritransmetimit me ose pa kabëll, përcjelljes në publik të veprës apo komunikimit të saj me anë të aparaturave të posacme për riprodhim zësri dhe figure, vënies në dispozicion në publikut, qiradhënies e huadhënies të PËRFITOJË NJË SHPËRBLIM TË DREJTË.
 

Si i ushtron artisti të drejtat e tij?

Artisti i ushtron këto të drejta në mënyrë individuale ose në mënyrë kolektive nëpërmjet Agjensisë së Administrimit Kolektiv AKDIE.

Individuale – Artisti i ushtron në mënyrë individuale të drejtat e tij në çdo rast, kur ka një kontratë pune apo porosie,për krijimin e një vepre të re apo interpretimin e tij live në cdo shfaqje publike.
 

Në mënyrë Kolektive- Artisti i ushtron nëpërmjet Agjensisë AKDIE të gjitha të drejtat e veta të tjera, përvec atyre që ushtrohen në mënyrë individuale prej tij. Agjenisa AKDIE administron të drejtat e artistëve në rastet e përdorimit masiv të  tyre, pra në cdo TV, radio,bar,restorant,qender tregtare etj..

Te drejtat e administrueshme në mënyrë të detyrueshme vetëm nga AKDIE sipas administrimit kolektiv të detyrueshëm:

  1. të drejtën për përcjelljen në publik të veprave të fiksuara
  2. transmetimet e fonogrameve e të videogrameve të fiksuara;
  3. të drejtën e paraqitjes publike të një shfaqjeje të fiksuar;
  4. të drejtën e transmetimit dhe ritransmetimit të një shfaqjeje të fiksuar;
  5. të drejtën e vënies në dispozicion të publikut të një shfaqjeje të fiksuar;
  6. të drejtën e qirasë së shfaqjes së fiksuar dhe të drejtën për shpërblim,
  7. të drejtën për shpërblim për huazim publik të shfaqjes së fiksuar;
  8. të drejtën për shpërblim të riprodhimit të shfaqjes së fiksuar për qëllime private dhe përdorim personal;
  9. të drejtën për shpërblim suplementar vjetor.